Të rinj zviceranë nga diaspora kthehen vullnetarisht për shërbim ushtarak
Rreth 13 mijë rekrutë të rinj nisën këtë javë trajnimin bazë ushtarak në Zvicër, ndërsa mes tyre janë edhe 45 të rinj zviceranë që jetojnë jashtë vendit, të cilët – ndonëse nuk janë të detyruar ligjërisht – kanë zgjedhur të bashkohen vullnetarisht me Ushtrinë Zvicerane.

Një numër gjithnjë e në rritje i të rinjve zviceranë që jetojnë jashtë vendit po kthehen vullnetarisht në Zvicër për të kryer shërbimin ushtarak, të motivuar nga dëshira për identitet, integrim dhe zhvillim personal.
Një nga këta është 19-vjeçari Valentin Lopez, i cili jeton në rajonin Haute-Savoie në Francë, në jug të Liqenit të Gjenevës. Edhe pse familja e tij ka jetuar jashtë Zvicrës për tre breza dhe lidhja e tij me vendin është kryesisht përmes pasaportës zvicerane të trashëguar nga stërgjyshi, ai ka vendosur të shërbejë në ushtri për të forcuar identitetin e tij.
“E shoh këtë si një mundësi për t’u ndjerë më shumë zviceran,” ka deklaruar Lopez për mediat zvicerane, duke shtuar se shpesh të rinjtë e diasporës ndihen të huaj, edhe pse janë qytetarë të vendit.
Valentin, së bashku me rreth njëzet vullnetarë të tjerë nga jashtë, u thirr javën e kaluar në Payerne për një rekrutim të veçantë. Shumë prej tyre janë gjithashtu shtetas francezë dhe mund të kishin kryer shërbim minimal edhe në Francë, por kanë zgjedhur rrugën zvicerane.
Për Sébastien Albayrak, 18 vjeç nga Strasburgu, shërbimi ushtarak nuk është vetëm detyrim apo simbolikë, por një mënyrë për zhvillim personal. “Dua të përmirësohem si njeri. Mendoj se është një përvojë nga e cila përfiton kushdo,” shprehet ai.
Megjithëse motivimi i këtyre të rinjve mund të duket i pazakontë për bashkëmoshatarët që jetojnë në Zvicër, ata shpresojnë të integrohen shpejt. “Në fund të fundit, nuk ka dallime. Të gjithë jemi këtu për të njëjtin qëllim,” thotë Lopez.
Mbështetja familjare ka qenë e fortë. Nëna e tij, Pascale, e sheh këtë vendim si një rikthim te rrënjët dhe planifikon ta vizitojë të birin në Birmensdorf, pranë Zyrihut, ku ai është caktuar si rekrut i infanterisë. Pas shërbimit bazë, Valentin po shqyrton mundësinë e trajnimit për oficer dhe më pas një karrierë në polici në Zvicër.
Sipas të dhënave zyrtare, numri i zviceranëve nga diaspora që zgjedhin shërbimin ushtarak është në rritje: nga rreth 50 vullnetarë në vit në vitin 2020, sot ky numër ka arritur në afro 90.
Koloneli Samuel Crettol, komandant i një prej qendrave kryesore të rekrutimit, vlerëson se rritja mund të lidhet edhe me zhvillimet dhe tensionet ndërkombëtare. Ai thekson se procedurat janë të njëjta për të gjithë rekrutët, por se një gjë i dallon këta të rinj: motivimi i lartë. “Ata janë këtu sepse e duan vërtet,” përfundon ai.



Comments