Mashtrime, pastrim parash dhe falimentime: prokuroria kërkon 7.5 vite burg për imamin kosovar
Në qytetin Dietikon të Zvicrës ka filluar një proces gjyqësor i gjerë, ku në qendër të akuzave ndodhet një imam dhe sipërmarrës kosovar 57-vjeçar, me banim në kantonin Aargau. Ai po hetohet për një sërë veprash të rënda penale në fushën ekonomike.

Sipas raportimeve të mediave zvicerane, aktakuza voluminoze, që numëron mbi 200 faqe, përfshin 20 pika akuze. Në to përfshihen dyshime për mashtrim financiar, shpërdorim të detyrës, pastrim parash, evazion fiskal, falsifikim dokumentesh si dhe shkelje të tjera ligjore.
Prokuroria bën të ditur se dëmi i shkaktuar arrin në disa milionë franga zvicerane. I akuzuari kryesor nuk ishte i pranishëm në seancën gjyqësore, duke pretenduar se ndodhet në një institucion psikiatrik dhe se nuk është në gjendje të merret në pyetje. Për këtë arsye, gjykata ka urdhëruar kryerjen e një ekzaminimi mjekësor zyrtar për të vlerësuar gjendjen e tij shëndetësore.
Në këtë çështje penale janë të përfshirë gjithsej tetë persona: imami 57-vjeçar, ish-bashkëshortja e tij 51-vjeçare, vajza 27-vjeçare, tre djemtë e tij të moshave 27 dhe 35 vjeç, si dhe dy bashkëpunëtorë të tjerë.
Megjithëse në rrjetet sociale, veçanërisht në Facebook, ai prezantohet para rreth 4.500 ndjekësve si një figurë fetare e përkushtuar, autoritetet e drejtësisë zvicerane e cilësojnë atë si një “kriminel ekonomik”. Sipas prokurorisë, përmes kompanive ndërtimore dhe firmave fiktive janë përfituar kredi bankare, të cilat janë përdorur për qëllime private, ndërsa disa kompani janë çuar qëllimisht drejt falimentimit.
Gjithashtu, ai dyshohet se ka deklaruar paga të rreme për anëtarë të familjes, me qëllim përfitimin e lejeve të qëndrimit në Zvicër.
Prokuroria ka kërkuar një dënim prej 7.5 vitesh burg për të akuzuarin kryesor, si dhe dëbim nga Zvicra për një periudhë 15-vjeçare. Për të pandehurit e tjerë parashikohen masa më të lehta ndëshkuese. Vendimi përfundimtar pritet të shpallet në fund të muajit janar.




Comments