top of page

Ambasada amerikane sqaron pezullimin e përkohshëm të vizave imigruese, Kosova në listë

Jan 16
2 min read

Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar për një pezullim të përkohshëm të përpunimit të vizave imigruese për shtetasit e 75 vendeve, mes të cilave edhe Kosova. Vendimi u bë publik të mërkurën dhe ka nxitur interesim të madh, veçanërisht në vendet e prekura nga kjo masë.



Departamenti Amerikan i Shtetit ka pezulluar përkohësisht përpunimin e vizave imigruese për shtetasit e 75 vendeve, përfshirë Kosovën, në kuadër të një rishikimi të politikave që synon të sigurojë se emigrantët nuk do të bëhen barrë për sistemin e përfitimeve publike në SHBA, ndërsa vizat jo-imigruese dhe ato tashmë të lëshuara nuk preken nga kjo masë.

Në një reagim për mediat, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka sqaruar se kjo lëvizje vjen pas deklarimeve të presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka theksuar se emigrantët duhet të jenë financiarisht të pavarur dhe të mos mbështeten në përfitime sociale publike në SHBA.


Sipas ambasadës, Departamenti i Shtetit ka nisur një rishikim të plotë të politikave, rregulloreve dhe udhëzimeve ekzistuese, me qëllim që të vlerësohet nëse emigrantët nga vendet e konsideruara me rrezik më të lartë mund të bëhen barrë për sistemin e përfitimeve publike amerikane. Vendimi për pezullim është bazuar në indikatorë që, sipas autoriteteve amerikane, tregojnë një probabilitet më të lartë që emigrantët nga këto vende të përfitojnë ndihma sociale.


Ambasada ka bërë të ditur se pezullimi ka të bëjë vetëm me vizat imigruese dhe nuk prek vizat jo-imigruese, si ato turistike, sportive, për punëtorë të kualifikuar apo për anëtarë familjarë. Po ashtu, masa nuk ndikon tek personat që tashmë posedojnë një vizë imigruese të vlefshme.


Autoritetet amerikane sqarojnë se asnjë vizë imigruese e lëshuar më herët nuk është anuluar. Aplikantët e prekur mund të vazhdojnë të dorëzojnë dokumentacionin dhe të marrin pjesë në intervista, ndërsa takimet e caktuara zakonisht nuk do të anulohen. Megjithatë, gjatë kësaj periudhe, vizat imigruese nuk do të lëshohen deri në përfundimin e rishikimit.

Departamenti i Shtetit po njofton drejtpërdrejt aplikantët e prekur përmes kanaleve konsullore dhe email-it, ndërsa ambasada ka këshilluar që të interesuarit të ndjekin vetëm burimet zyrtare për informacione të sakta dhe të përditësuara, përfshirë faqen e ambasadës amerikane dhe portalin zyrtar Travel.State.Gov.


Në fund, ambasada ka apeluar që aplikantët të shmangin burimet jozyrtare dhe të mbështeten vetëm në komunikimet zyrtare të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara për çështjet që lidhen me vizat.

Comments


bottom of page